Pierre-Emerick Aubameyang është larguar më në fund nga Borussia Dortmund dhe është transferuar tek Arsenal për 63 milionë euro. Pas zyrtarizimit të operacionit, 28-vjeçari i ka shkruar një mesazh prekës ish-tifozëve të tij verdhezinj.

“Pikësëpari, dua t’ju kërkoj ndjesë për gjithçka ndodhi në muajin e fundit”, ka shkruar sulmuesi në Instagram. “Por unë doja të ndërroja ekip verën e kaluar dhe asgjë nuk ndodhi. Duhej të ndodhte patjetër tani. Ndoshta nuk kam vepruar në mënyrën e duhur, por të gjithë e dinë se Auba është i çmendur! Kam bërë gabime, por kurrë me keqdashje. Nuk do t’i harroj kurrë katër vitet e gjysmë të kaluar te Borussia Dortmund, sepse të gjithë ju më keni ndihmuar të arrij në nivelin ku jam sot. Falënderoj të gjithë familjen e BVB-së, tifozët klubin, stafin dhe shokët e skuadrës”.

Pavarësisht problemeve jashtë fushës, Aubameyang ka bërë një paraqitje të mirë brenda saj, siç tregojnë 13 golat e shënuar në 16 ndeshje të kampionatit gjerman, pa harruar katër të realizuar në Champions league.



Previous Next