Juventusi e ka eliminuar Tottenhamin nga Liga e Kampionëve, pas fitores në Wembley, me rezultat 2-1.

Ndeshja e parë në Torino përfundoi me rezultat 2-2 dhe falë triumfit në Londër, Zonja e Vjetër është kualifikuar në çerekfinale të garës më të madhe evropiane për klube.

Bianconerët u gjetën nën presionin e Spursave në pjesën e parë dhe pranuan gol nga Son Heung-Min, mirëpo në pjesën e dytë u kthyen për ta përmbysur rezultatin me anë të Gonzalo Higuain dhe Paulo Dybala.

Në fund të ndeshjes në Wembley, fitores së Juves i është gëzuar edhe një tifoz i Arsenalit.

Mbështetësi i Topçinjve ndodhej në mes të tifozëve mysafirë dhe në momentin e duhur e ka nxjerrë fanellën e Arsenalit për ta festuar eliminimin e Spursave.

Tottenhami është rivali më i madh lokal i Arsenalit dhe natyrisht se ekziston një rivalitet jashtëzakonisht i madh ndërmjet tifozëve, të cilët gëzohen edhe kur ata humbin nga dikush tjetër.

Theksojmë se skuadra e Arsene Wenger këtë edicion nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa rrezikon që të mos luajë edhe në sezonin e ardhshëm.

Previous Next