Trajneri i Interit ua ka bërë me dije drejtuesve të klubit se skuadra ka nevojë për përforcime shtesë.

Kanë mbetur edhe tri javë deri në fillimin e edicionit të ri në Serie A.

Natyrisht që ky fakt e shqetëson trajnerin Luciano Spalletti, që përveç se duhet të përballet me mungesën e disa lojtarëve, të cilët ishin të angazhuar në Botëror, nuk është i kënaqur me ekipin që ka në dispozicion.

Trajneri i zikaltërve theksoi se skuadra nuk është akoma e kompletuar për të përballuar një edicion, ku do të ketë luftë në tre kompeticione dhe rivalitet të madh.

“Është e vërtetë që kemi bërë disa përforcime të mira, por mungojnë akoma disa futbollistë, për të qenë konkurrues”, ka thënë Spalletti.

“Lojtarët e tjerë nuk i dua unë, por ata 40 mijë tifozë që e dhanë sinjalin e parë duke blerë abonimet dhe që presin në fushë një skuadër konkurruese”.

“Për të qenë të tillë, duhet të jemi më të mbuluar në disa pozicione, sepse bëhet fjalë për një sezon të gjatë dhe shumë më të gjatë sesa ai i kaluari”, deklaroi trajneri i Interit.

Zikaltërit janë në kërkim të një mesfushori qendror dhe një futbollisti në krahun e djathtë.

Previous Next