Chelsea është ende në kërkim të portierit në merkato.

Courtois do të shkojë te Real Madridi, por së pari, ai dëshiron të ketë zëvendësuesin e tij në “Stamford Bridge”. Dhe fokusi shkon direkt tek Oblak.

Siç raportohet nga “Daily Mail”, klubi londinez dëshiron që slloveni të jetë portieri i ri dhe për të është i gatshëm të paguajë 100 milionë euro, sa është klauzola e tij e lirimit nga Atletico Madrid.

Londinezët vazhdojnë të kërkojnë përforcime në merkato, duke pasur si objektiv lojtarë që përshtaten me nevojat e trajnerit Sarri.

Nuk ia vlen të merret dikush, vetëm që të mbushë vendin e Courtois, nëse belgu largohet për në “Bernabeu”, ndaj drejtuesit e Chelsea kanë supozuar se duhet të bëjnë një investim të fortë, ngaqë merkatoja e portierëve të nivelit të lartë është, gjithashtu, e fryer në shifra financiare.

Blutë dëshironin Alisson, por portieri brazilian i Romës përfundoi duke nënshkruar me Liverpool për rreth 75 milionë euro.

Jurgen Klopp, gjithashtu, donte Oblak, siç ka pranuar vetë trajneri gjerman i “Reds”.

Ka edhe emra të tjerë në tryezën e Chelsea, siç është Trapp, i cili ka te PSG rivalitetin e fortë për një vend titullari me Buffon dhe Areola.

Gjithashtu, flitet për Pickford dhe Schmeichel, përfshirë edhe spanjollin Reina.

Realiteti është se vendimmarrja nuk mund të zgjasë shumë sepse më 9 gusht mbyllet merkatoja në Premier League.

Kjo vlen edhe për Courtois, që pret të rikthehet në Madrid, kësaj here me galaktikët e Realit.

Previous Next