Pasditen e së mërkurës, pas stërvitjes, skuadra pati një takim në qendrën stërvitore të “Milanello”- s me drejtorin teknik Leonardo dhe atë të Zhvillimit Strategjik Sportiv, Paolo Maldini. Dy drejtuesit e rinj, anë të asaj vizite i treguan skuadrës afërsinë që bordi ka me lojtarët, sidomos kur mungon edhe një javë nga fillimi i kampionatit. Dyshja kuqezi u përshëndet fillimisht me trajnerin Xhenaro Gatuzo, e më pas me stafin e tij, përpara se të kishin një “mbledhje” të shkurtër në fushë me të gjithë organikën.
FJALIM – Me skuadrën rreth vetes, si Leonardo ashtu edhe Maldini shpenzuan disa fjalë për të inkurajuar lojtarët, por edhe për t’u shprehur besimin që shoqëria ka ndaj tyre. Sipas “Tuttosport”, ishkapiteni i foli skuadrës mbi koncepte si sensi i përkatësisë, pesha e fanellës, dëshira për të fituar dhe sakrificat e profesionit. Këto vlera, ai kërkon t’ia transmetojë ekipit, i cili përveç se iu përgjigj me shumë vëmendje dhe aprovim, me anë të një duartrokitjeje tregoi se sa vlerësohej fjala e një legjende si Maldini në një grup të rinjsh, nga të cilët pritshmëritë janë të larta.
EMOCIONE – Në sytë e lojtarëve ishte i dukshëm emocioni i të pasurit përballë një dyshe drejtuesish, të cilët në të kaluarën kanë dhënë jo pak për lavdinë e Milanit. Ndër më të prekurit nga ky takim, pa dy shim Davide Kalabria, i cili nuk e ka fshehur kurrë adhurimin sublim për një mit si Paolo Maldini. Të pasurit përballë një legjende të gjallë si Paolo pa dyshim ishte një faktor emocionues për mbrojtësin e djathtë, ashtu edhe për pjesën tjetër të futbollistëve. Edhe vetë Maldini u shfaq shumë i emocionuar pas vizitës ndaj skuadrës, teksa për mediat italiane deklaroi: “Vizitat në “Milanello” kanë qenë gjithmonë një kënaqësi, pasi ky vend së bashku me “San Siro”-n për mua janë si shtëpi e dytë. Gatuzo trajner nuk më çudit më pasi jam mësuar ta shoh në rolin e ri që prej sezonit të kaluar. Ia njoh mirë vlerat dhe cilësitë, ndaj nuk më habit asgjë nga ato që pashë gjatë takimit me djemtë”.