Milot Rashica erdhi për 7.5 milionë euro nga Vittese Arnheim te Werder Bremeni. Në një intervistë për Bildin, sulmuesi anësor flet për vendlindjen, të dashurën dhe fenë.
Kjo është intervista e plotë e përfaqësuesit të Kosovës dhënë për prestigjiozen gjermane.
z. Rashica, ju keni ardhur gjatë janarit te Bremeni. Por nuk është se dimë shumë për ju...
Rashica: Jam një tip shumë normal. Pas përgatitjeve, zakonisht jam në shtëpi me të dashurën time (Belkiz Kera). Ajo më ka mbështetur shumë. Me të mund të flas për gjithçka. E mbi të gjitha, ajo është një kuzhiniere tepër e mirë.
Dhe a keni ndonjë ushqim të preferuar gjerman?
Rashica: Orizin me qumësht! Edhe në vendlindjen time është një ushqim tradicional. Por atje e hamë të ftohtë.
Sa ju mungon shtëpia?
Rashica: Për mua ka qenë një hap i madh, kur para tre vjetëve erdha nga Kosova në Holandë. Nuk ka shumë lojtarë nga vendi im, që luajnë në njërën nga top pesë ligat e botës. Për këtë të arritur, ne duhet të jemi krenar. Unë dua të bëhem një idhull për fëmijët e Kosovës.
Si është futbolli në Kosovë?
Rashica: Në tri vitet e fundit është bërë shumë. Janë ndërtuar stadiume të reja dhe ka shumë sponsorë që përkrahin klubet. Sa isha unë, kjo ka qenë më e vështirë. Atëbotë Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-së dhe FIFA-së. Nuk kisha mundësinë të luaja në kombëtare, sikur tani.
Dhe megjithëkëtë, ju keni arritur deri në Bundesliga...
Rashica: Për këtë e falënderoj shumë familjen time, ajo gjithnjë është përkrah meje dhe më mbështet. Kur isha fëmijë, babai im gjithnjë më ka dërguar në përgatitje me makinë. Ai është dentist kishte shumë punë. Por këtë e bënte me qejf. Sot, familja ime nuk e humb asnjë ndeshje timen. Ata janë shumë krenar me mua.
Sa është e rëndësishme feja për ju?
Rashica: Shumë e rëndësishme. 90 për qind e kosovarëve janë myslimanë. Unë mundohem t’u përmbahem rregullave të religjionit aq sa mundem. Nuk ha mish të derrit dhe nuk konsumoj alkool, e po ashtu falem e lutem shumë. Megjithatë muajin e Ramazanit nuk mund ta agjëroj tërësisht, pasi bëjë edhe jetë sportisti.
Si po ju shkojnë përgatitjet me Werderin?
Rashica: Po ndihem shumë mirë. Dimrit nuk mund t’i realizoja mirë, pasi erdha vonë. Dhe këtë e vërejta në sezonin pranveror. Tani jam kondicionalisht në të njëjtin nivel si të tjerët, punoj çdo ditë me djemtë e tjerë dhe jam shumë i angazhuar.
Në sezonin e kaluar, ju ishit vetëm pesë herë në ekipin e parë. Pritnit më shumë?
Rashica: Muajt e parë ishin shumë të vështirë për mua. Më duhej pak kohë për t’u përshtatur. Dallimi midis ligës së Holandës dhe Bundesligës është shumë i madh. Ritmi është i lartë në ndeshje, stadiumet janë më të mëdha dhe përgatitjet më intensive. Më duhej të punoja shumë në anën taktike, sidomos në mbrojtje. Në fund të sezonit e arrita një gjë të tillë, madje mirë.
Çfarë synime i keni vënë vetes për sezonin e ri?
Rashica: Dua ta ndihmojë ekipin me gola e asistime. Kam punuar shumë në përgatitje dhe jam munduar ta bindi trajnerin. Dua të luajë, edhe pse kemi një konkurrencë tepër të fortë në pozitat e anësorëve. Nuk jam asnjëherë i qetë dhe dua ta provojë veten deri në kufijtë e mi. Në fund, është trajneri ai cili vendos kush luan.
Çka mendoni, cilat janë gjasat tuaja kundër Wormsit, për ekipin e parë?
Rashica: Unë jam shumë i përgatitur. Do të më pëlqente shumë nëse do të isha në ekipin e parë. Pavarësisht a do të luajë në krahun e majtë apo të djathtë. Por prapë në fund është vendimi i trajnerit.
Dhe ju jeni më i shpejti i ekipit apo?
Këtu janë disa lojtarë të shpejtë në ekip. Nuk e di a jam unë më i shpejti. Së paku mua më thonë bashkëlojtarët se jam një raketë (Qeshet).