Kapiteni i reprezentacionit të Spanjës Sergio Ramos e festoi golin që ia shënoi mbrëmë Kroacisë, duke bërë shqiponjën dykrerëshe, gjë që i ka tërbuar mediumet serbe.

Portali kurir.rs, me titull “RAMOS ÇFARË BËN KËSHTU: Kapiteni spanjoll festoi me shqiponjën dykrerëshe SHQIPTARE! Kroatët të tmerruar”, në stilin e njohur manipulues të mediumeve serbe, shkruan se “veprimi i tillë i ka tmerruar të gjithë, madje edhe tifozët kroatë në rrjetet sociale”. Natyrisht, siç e kanë zakon mediat serbe, as në këtë rast nuk u dha asnjë provë se të paktën një tifoz kroat qenka “tmerruar” nga veprimi i kapitenit spanjoll. Ramosi e shënoi golin e 5-të në fitoren e thellë të Spanjës ndaj finalistit të botërorit në Rusi në fitoren me 6:0. “Ramosi në minutën e 57-të e shënoi golin për “Furinë e kuqe”, e pastaj me duar bëri lëvizjet me të cilat reprezentuesit e Zvicrës me prejardhje shqiptare Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri i provokuan futbollistët tanë në Kampionatin botëror në Rusi”, shkruan kurir.rs. Portali i njohur për mënyrën spekulative, luftënxitëse dhe propagandistike, në vazhdim jep “historikun” e shqiponjës dykrerëshe, si “simbol” i ithtarëve të krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Previous Next