Ylli portugez Cristiano Ronaldo, e jo ai kroat Luka Modric, duhet ta kishte fituar çmimin e UEFA për lojtarin më të mirë të sezonit 2017/2018, sipas trajnerit të Kombëtares së Portugalisë, Fernando Santos.

Ronaldo arriti t’i shënojë 15 gola në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve, duke i ndihmuar kështu ish-skuadrës së tij, Real Madrid, ta fitojë për të tretën herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve. Por, pesë herë fituesi i Topit të Artë, Ronaldo, e humbi këtë çmim kundër ish-bashkëlojtarit të tij, Modric. Modrici arriti t’i marrë pjesën më të madhe të votave të trajnerëve dhe gazetarëve. Për këtë arsye, Ronaldo, i cili këtë afat kalimtar u largua nga Real Madridi dhe iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro, vendosi të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u mbajt muajin e kaluar në Monako. Por, kur u pyet nga gazetarët se kush duhet ta kishte fituar, trajneri i Kombëtares së Portugalisë, Fernando Santos, tha se ai mendon që Ronaldo ishte meritori i vërtetë për këtë çmim, dhe në vend të dytë ai do ta vendoste Modricin. “Vendimi apo votat për të zgjedhur lojtarin më të mirë të FIFA-s nuk i imi. Nëse do ta merrja unë këtë vendim, Ronaldo do të zgjidhej kampion”, ka thënë Santos. “Për mua, Ronaldo është kampioni. Dhe në vend të dytë, do e zgjidhja Modricin. Por, votat erdhën nga publiku, gazetarët, trajnerët e tjerë, ka shumë persona, kështu që vendimi do të zyrtarizohet në kohën e duhur”. “Kishte edhe një çmim paraprak, siç kam thënë edhe më parë, Modrici është një lojtar i mrekullueshëm, për këtë arsye unë e kam vendosur atë në pozitën e dytë. Por, në këtë çmim paraprak, mendoj se Ronaldo duhet të kishte qenë fituesi për shkak të punës së tij në këtë periudhe dhe sidomos në Ligën e Kampionëve”.

Previous Next