Emri më i ri që pritet t’i bashkohet Kombëtares Shqiptare të futbollit, është ai i Ardian Ismajlit.

Bëhet fjalë për mbrojtësin 22-vjeçar të Hajdukut të Splitit, ish-kapiten i përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Kosovës, raporton Supersport.


Mbrojtësi është pajisur me pasaportën shqiptare nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe pritet që në nëntor të marrë një ftesë nga Panuci për tu bashkuar me kombëtaren në grumbullimin për sfidën e Nations League me Skocinë dhe miqësoren e pak ditëve më pas me Uellsin. Futbollisti që aktualisht militon në Kroaci me Hajdukun e Splitit mund të luajë si në qendër të mbrojtjes ku spikat me aftësitë e tij ashtu edhe në krahun e djathtë, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për këtë repart në grupin kuqezi. Futbollisti i ri luajti ndeshjen e tij të fundit me 21-vjeçarët e Kosovës, 16 tetorin e kaluar, kur ishte në fushë në humbjen 3-0 në transfertën me Izraelin, por mungesa e një ftese nga trajneri i përfaqësueses së parë të Kosovës Bernard Shaland ka qenë me sa duket episodi i fundit që e ka shtyrë mbrojtësin drejt Shqipërisë. Në të kaluarën Ismajli është kërkuar me ngulm nga Panuci për vetë potencialin që gëzon lojtari, dhe tani duket se në nëntor ai do të jetë përfundimisht lojtari më i ri që i bashkohet Shqipërisë, dhe i dyti rast brenda pak kohësh që kalon nga Kosova te kuqezinjtë pas Kastriot Dermakut.


Previous Next