Milani do të presë në mesditë Sapmdorian në “San Siro”, në një sfidë mjaft delikate, që mund të përcaktojë shumë edhe sa i përket të ardhmes së trajnerit Genaro Gattuso.
Kuqezinjtë vijnë pas dy humbjeve radhazi, fillimisht në derbi dhe më pas në Europa League ndaj spanjollëve të Betisit, ndërsa ajo që ka lënë shije edhe më të hidhur se dështimi, ka qenë loja aspak bindëse.
Pikërisht për këtë arsye, mediat italiane kanë aluduar se testi ndaj Sampit do të jetë ai që do të vendosë për të ardhmen e Gattusos në stolin e Milanit, ndërsa vetë tekniku kërkon të karikojë të tijtë, për t’i orientuar drejt suksesit. “Sampdoria është një kundërshtar mjaft I vështirë, që mund të na hapë punë nëse nuk angazhohemi maksimalisht. Kemi punuar disa variante taktike gjatë kësaj jave, por të shohim si do rreshtohemi. Ajo që ka rëndësi, është se dua të shoh 23 luanë, të gatshëm për të luajtur dhe për të fituar sfidën”, deklaroi Gattuso. Tekniku i Milanit nuk e përjashtoi mundësinë që nga minuta e parë të luajë edhe Cutrone, në krah të Higuain, ndërsa për argjentinasin ka edhe një këshillë, duke iu referuar nervozizmit të tij në takimet e fundit. “Mund të luajmë edhe me dy sulmues, por do të shohim. Rëndësi ka grinta e skuadrës, pasi duhet të rikthehemi të luajmë fort dhe të argëtohemi. Sa i përket Higuain, është një sulmues që ka shpatulla për të mbajtur peshën e repartit, por duhet të nervozohet më pak, pasi kjo nuk i shërben në fushën e lojës”, u shpreh trajneri i Milanit. Genaro Gattuso foli edhe për gjendjen e lojtarëve, ku evidentoi dëmtimin e fantazistit turk, Hakan Calhanoglu, por edhe gjendjen jo optimale të mesfushorit Kessie dhe mbrojtësit të ardhur këtë verë, Caldara.
“Calhanoglu ka probleme të trashëguara nga derbi dhe ka vështirësi të vërë këmbën në tokë. Edhe Kessie vuan një goditje në kofshë, ndërsa Caldara sapo është kthyer nga dëmtimi dhe duhet integruar gradualisht, me minutazh të reduktuar. Gjithsesi, më e rëndësishme është që lojtarët të qasen në mënyrën e duhur, në lojë”, tha Gattuso. Në fund tekniku Genaro Gattuso nuk e kursen batutën, teksa I kërkohet të flasë për mesfushorin Bakayoko, i cili ka ardhur në huazim nga Chelsea, por që nuk po ngjitet në nivelin e pritshmërive. “Në ndeshjen e fundit Bakayoko ka rikuperuar 4-5 topa mjaft të mirë, por problem është se u a ka dhënë sërish kundërshtarëve. Po kalon një moment të vështirë, ashtu si e gjithë skuadra dhe këtë situatë duhet ta lëmë pas sa më shpejt, duke filluar nga sot ”, u shpreh trajneri kuqezi.