Toni Kroos e konsideron Julen Lopeteguin si trajner të shkëlqyer, pas shkarkimit të tij nga Real Madridi.

Strategu spanjoll e zuri vendin e lënë bosh nga Zinedine Zidane në fillim të sezonit, mirëpo pesë humbje në shtatë ndeshje i kushtuan me punë.


Los Blancos e larguan trajnerin dhe në vend të tij e kanë angazhuar Santiago Solarin. Ndeshja e fundit e Lopeteguit në krye të Realit ishte humbja prej 5-1 nga Barcelona në ‘El Clasicon’ e zhvilluar të dielën në Camp Nou.

Kroos ka thënë se lojtarët e Madridit ndjehen përgjegjës për largimin e trajnerit. “Humbja më e madhe për lojtarët është kur trajneri duhet të largohet”, ka shkruar mesfushori gjerman në Instagram. “Sidomos në rastin kur ai është një trajner i shkëlqyer dhe një njeri i shkëlqyer. Faleminderit Julen!”, shkruan Kroos pranë fotografisë së përbashkët me tashmë ish-trajnerin e Realit. Në ndërkohë, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se beson që Real Madridi do të jetë konkurrent për trofe këtë sezon edhe nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm, Santiago Solari.


Previous Next