Ndonjëherë, mbështetja të vjen nga ai që nuk e pret.

Nëse Mourinho kohët e fundit është sulmuar nga disa ish-lojtarë të mëdhenj të Mancehster United, si Neville apo Scholes, portugezit i ka dalë në krah një nga protagonistët më të mëdhenj të “Djajve të Kuq”, kur Sir Alex Ferguson ishte trajner.


Bëhet fjalë për legjendën irlandeze, Roy Keane, i cili njihet për personalitetin e veçantë dhe problemet që ka pasur gjatë gjithë karrierës me trajnerët e tij. “Flasim për futbollistë dhe trajnerë, jo të gjithë lojtarët bien dakord me trajnerin e trajnerit nuk mund t’i pëlqejë çdo lojtar. Por, si futbollist, çfarëdolloj problemi të kesh pasur me trajnerin, kur hyn në fushë, luan për skuadrën. Nëse nuk ke dëshirë për të luajtur, as kur vesh fanellën e Manchester United, atëherë e vetmja gjë që më ngelet të bëj, është t’i uroj fat Mourinhos”. Keane sqaroi gjithashtu se problemi nuk qëndron vetëm te një lojtar i caktuar, siç është Pogba, por për një brez të tërë lojtarësh, të cilët e kanë ndryshuar krejtësisht futbollin e sotëm. Irlandezi u shpreh se kjo gjë është e papranueshme, e gjërat kanë ndryshuar shumë nga koha kur luante ai. “Nuk e kam vetëm për Pogbanë, është një diskutim i përgjithshëm. Janë lojtarë të cilët nevrikosen me trajnerin dhe mendojnë se nuk duhet të stërviten, sepse janë të mërzitur. Futbollistët e sotëm janë qaramanë. Kur zbret në fushë, luan për krenarinë tënde, për familjen, për qytetin, për çdo gjë. Për t’u zënë ka kohë pas ndeshjes”.


Kur këto fjalë vijnë nga një ikonë si Roy Keane, sigurisht kanë vlerë dyfish. Por, gjithsesi, situata tek United duket mjaft e vështirë, me skuadrën që po kalon një nga momentet më të komplikuara që nga largimi i Sir Alex Ferguson.

Previous Next