Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ndihet keq, që Cristiano Ronaldo nuk do të jetë përballë, kur Portugalia të vizitojë “San Siro” në Ligën e Kombeve, të shtunën.
Ronaldo nuk është paraqitur me kombëtaren e tij që nga Kampionati Botëror i Rusisë, me trajnerin Fernando Santos dhe Federatën Portugeze të Futbollit, që i kanë dhënë atij njëfarë kohe pushim.
Mbetet e paqartë se kur ylli i Juventusit do të kthehet në aksion me Portugalinë, por sipas gjasave jo para marsit 2019. Megjithatë, kampionët europianë në fuqi kanë përparuar edhe me mungesën e Ronaldos, duke marrë tri fitore dhe një barazim në katër ndeshjet, që kanë luajtur nga eliminimi në Botërorin e kësaj vere, prej Uruguajit. Luzitanët janë në betejë me Italinë, në krye të Ligës A, Grupi 3, megjithëse fokusi ende mbetet tek ylli i tyre i munguar. “Cristiano është një nga lojtarët më të mirë në botë, – u tha Mancini gazetarëve në konferencën para ndeshjes. – Me siguri, me të në fushë do të ishte një lojë ndryshe, sepse Ronaldo ka aftësi unike. Por, Portugalia ka lojtarë të tjerë të jashtëzakonshëm në fazën sulmuese. Besoj se do të jetë një lojë spektakolare edhe pa Cristiano Ronaldon, megjithëse do të kishim dashur të përballeshim me të. Unë mendoj se me të në fushë, ndeshja do të ishte edhe më spektakolare. Na vjen shumë keq që ai nuk luan të shtunën”. Mbrojtësi i Italisë, Giorgio Chiellini, i cili luan te Juventusi së bashku me Ronaldon, këmbëngul se axurrët nuk do t’i ndryshojnë pikëpamjet e tyre, sepse Portugalia ka shumë armë të tjera të forta: “Për ne, mungesa e Ronaldos nuk do të ndryshojë asgjë në aspektin e qasjes në lojë.
Është e qartë se Cristiano Ronaldo do të ishte vendimtar për çdo ekip, ai është lojtari më i mirë në botë, prandaj nuk mund të thuash se Portugalia është e njëjta pa atë. Por, Portugalia është një ekip i mirë dhe e ka treguar se mund të luajë e të fitojë edhe pa Cristiano Ronaldon. Në finalen e “Euro 2016”, edhe pse ai ishte në stol, pas dëmtimit, portugezët mundën Francën. Janë një ekip shumë i mirë dhe nuk do të jetë e lehtë për ne”.