Klubi zi-kaltër mund të bëjë ndryshime në stol duke filluar nga sezoni tjetër.
Interi nuk mundi dot të kualifikohej për në raundin e 1/8-ave të finaleve të Ligës së Kampionëve dhe kjo ka bërë që e ardhmja e Luciano Spallettit të vihet në dyshim.
Trajneri akuzohet për zgjedhje të gabuara, të bëra shpesh gjatë ndeshjeve të fundit. Është pikërisht ecuria në arenën evropiane, ajo që do të vendosë shumë për të ardhmen e Spallettit, sigurisht pa harruar edhe kampionatin, ku Interi duhet të jetë mes katër më të mirave të Serie A. Në fakt, klubi po mendon që tani për atë çfarë do të ndodhë në muajin qershor, nëse nuk arrihen objektivat. Për momentin, emrat që po qarkullojnë si zëvendësuesit më të mundshëm janë ata të Diego Simeones nga Atletico Madrid dhe të Antonio Contes. Por, së fundmi në listën e kandidaturave është shfaqur edhe një emër tjetër që nuk harrohet në ambientet zi-kaltër dhe që ka bërë tifozët e Interit të ëndërrojnë. Bëhet fjalë për Jose Mourinhon, i cili duke parë problemet te Manchester United, në qershor mund të lërë “Djajtë e Kuq” për t’u rikthyer tek Interi, skuadër me të cilën ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm.