Skuadra e Liverpool ka një sfidë të rëndësishme këtë fundjavë në Premier League, teksa do të presë në fushën e saj rivalët e Arsenal, një përballje ku do të duelojnë dy nga ekipet më të forta në kampionat.

Skuadra e “reds” është 6 pikë larg rivalëve dhe ende nuk ka pësuar asnjë humbje deri më tani në Premier, ndaj trajneri i “topçinjve”, Unai Emery, u shpreh se ky Liverpool mund të përsërisë rekordin e sezonit 2003-2004, kur Arsenal nuk pësoi asnjë humbje. “Kjo që thotë Emery është e pamundur të ndodhë në kushtet e sotme. Çdo rival mund të na vërë stërkëmbëshin në çdo moment, asnjë nuk e nis ndeshjen ndaj nesh duke ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit. Ne jemi fokusuar te sfida e radhës dhe duam të fitojmë, por nuk ka për të qenë aspak e lehtë”, tha Jurgen Klopp. Duke folur për rivalët e ardhshëm, trajneri gjerman shton: “Arsenal ka shumë lojtarë të mirë në prëbërje, që të ndëshkojnë në çdo moment. Të dyja ekipet po kalojnë një moment të mirë. Kundërsulmi i Arsenal është i pamëshirshëm me Aubameyang dhe Lacazette, ndaj do të jetë e vështirë për ne”, tha Klopp.

Previous Next