Futbollisti Arbër Zeneli ka qenë një nga më të mirët e Kosovës në 2018-ën dhe po shkëlqen në Holandë me Heerenveen.
Ai ka analizuar arritjet e kombëtares së tij deri tani dhe është shprehur optimist për të ardhmen.
Kanë kaluar më pak se tre vite nga momenti që Kosova u bë anëtarja numër 210-të e FIFA-s dhe, pas triumfit në Ligën e Kombeve, ku kanë fituar Grupin D, trajektorja e “hirushes” së futbollit botëror duket në rritje të vazhdueshme dhe nuk tregon asnjë shenjë se mund të ndalet. “Ka qenë një vit fantastik për ne si një vend i ri. Nuk e mendonim kurrë se mund ta mbyllnim vitin pa asnjë humbje”, ka thënë Zeneli për FIFA.com. “Natyrisht, Liga e Kombeve ka qenë pika kulmore. Ne donim të fitonim grupin dhe ndeshja e fundit ka qenë fantastike për vendin tonë”, tha ai. Me tre golat e shënuar përpara publikut të Kosovës, kontributi i 23-vjeçari në fitoren 4:0 ka treguar pse ai është një nga lojtarët më të vlerësuar të këtij sezoni në Eredivisie. Vetëm lojtari i Feyenoordit, Steven Berghuis, ka dhënë më shumë asistime se Zeneli, i cili vepron kryesisht në krahun e majtë të sulmit, duke krijuar më shumë se një problem për mbrojtjet kundërshtare. Nuk është një surprizë që Cristiano Ronaldo dhe Kaka janë dy idhujt e tij. Dhe rritja e Zenelit ka qenë një pasqyrim i ngritjes së Kosovës, që tani mban vendin e 131-të në renditjen e FIFA-së, duke ngjitur 47 vende që nga janari.
I lindur në Suedi, ai, që është më i madhi i tre vëllezërve, ka shpjeguar se futbolli “ka patur një ndikim të madh në familjen Zeneli”. Rruga e tij si futbollist profesionist ka filluar me ekipet e moshave të Suedisë në moshën 15-vjeçare, por ai ka qenë në mëdyshje në momentin e thirrjes nga toka e prindërve të tij. “Nuk e dija së çfarë doja në të vërtetë në atë kohë, por më pas u binda se ishte vendimi i duhur”, ka thënë golashënuesi më i mirë aktual i Kosovës me gjashtë gola. “E ndieja në zemrën tim dhe zgjodha Kosovën. Nuk jam penduar”. I mbushur me krenari sa herë që vesh uniformën verdhekaltër, debutimi i tij me Kosovën ka qenë i hidhur për shkak të humbjes 6:0 të pësuar kundër Kroacisë. Gjithsesi, ajo humbje e pësuar në fazën kualifikuese të Botërorit “ka qenë një leksion që na duhej”, sipas Zenelit, i cili ndihet i lumtur për rrugëtimin e kombëtares së tij deri tani. “Kur u pranuam nga FIFA, unë nuk isha refugjat, por prindërit e mi ishin. Ata u ndien shumë të lumtur, por edhe të trishtuar për gjithçka kemi kaluar. Dëshira e madhe është të luash për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar shumë situata të mundimshme”. “Herën e parë që kemi dëgjuar himnin të gjithë bashkë ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për ne”, tha Zeneli.
Ndeshja e parë kualifikuese e Botërorit kundër Finlandës. “Mundësia për të luajtur në fazën eliminatore të Kupës së Botës ishte një eksperiencë e rëndësishme. Edhe pse ishim në një grup të vështirë, përballja me ato skuadra të mëdha na ka bërë mirë”, theksoi ai. Fitorja e parë zyrtare kundër Ishujve Faroe. “Ka qenë një moment shumë i veçantë për ne, teksa presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, u nda nga jeta një muaj më parë. Ai mundësoi gjithë këtë. Do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës”, ka thënë Zeneli. Fitorja e grupit të Ligës së Kombeve. “Ishte një natë e çmendur. Azerbajxhani pritej të fitonte dhe të siguronte vendin e parë, por ne u futëm në fushë me një objektiv të vetëm dhe bëmë një punë perfektë”, tha Zeneli. Tani e gjithë vëmendja është drejtuar nga 2019-a dhe te dëshira për të provuar veten kundër disa prej përfaqësuesve më të mira të kontinentit në eliminatoret e Euro 2020. Anglia dhe Republika e Çekisë do të jenë dy prej tyre. “E dimë se kemi siguruar një vend në fazën ‘play-off’ falë Ligës së Kombeve, por kjo nuk do të thotë se do ta marrim me lehtësi fazën eliminatore të Euro 2020. Pse të mos e sigurojmë kualifikimin në këtë fazë”, ka thënë Zeneli. “Nuk kemi asgjë për të humbur. Nëse nuk ia dalim, do të kemi dy ndeshje për të ndrequr gjithçka. Do të jetë një vit interesant”.