Një nga lajmet që e tronditi më së shumti botën e futbollit vitin e kaluar ishte dokumenti i publikuar nga gazeta gjermane Der Spiegel që dëshmonte se disa nga klubet më të mëdha të Evropës e kishin ideuar krijimin e një ligë të re, të quajtur Super League, e cila do ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve, por edhe ligat vendore.


Natën e 22 tetorit, Real Madridi mori një mesazh elektronik me titullin “Drafti i Marrëveshjes të 16-ve”. Ky mesazh i ishte dërguar presidentit të klubit, Florentino Perezit. Dokumenti në këtë mesazh ishte drafti 11-faqësh i marrëveshjes së klubeve të mëdha evropianë për krijimin e Super Ligës. 11 themeluesit e kësaj lige nuk do të jenë në rrezik të eliminohen nga liga dhe e kanë anëtarësinë e garantuar për 20 vjet. Pesë klube të tjera do të merrnin pjesë si “mysafir fillestarë”, kështu që liga do të përbëhej nga 16 ekipe. Sipas dokumenteve të siguruara nga Der Spiegel, ky projekt ishte sekret. Sipas draftit që i ishte dërguar Perezit, data për nënshkrimin e këtij dokumente nga përfaqësuesit e 16 klubeve ishte nëntor 2018, mirëpo një datë më e saktë nuk ishte specifikuar. 11 klubet të listuara si themeluesit e Super Ligës, të cilët nuk rrezikojnë të eliminohen, janë Real Madridi, Barcelona, Manchester Unitedi, Juventusi, Chelsea, Arsenali, Paris Saint-Germaini, Manchester City, Liverpooli, Milani dhe Bayern Munichu. Këto klube janë pjesë e shoqërisë sekrete, ku si mysafir fillestarë, sipas këtij dokumenti, do të jenë: Atletico Madridi, Borussia Dortmundi, Marseille, Interi dhe Roma. 11 klubet themeluese planifikonin ta regjistronin një kompani në Spanjë, e cila do të merrej me anën e marketingut, organizimit dhe ekzekutimit të Super Ligës Evropiane. Gara planifikohet të zhvillohet në dy faza: fazën e grupit dhe fazën e play-offs. Ata planifikonin ta organizojnë edhe një ligë të dytë, nën Super Ligën. Nga kjo ligë e dytë, ekipet më të mira në fund të sezonit do të luanin një seri ndeshjesh, si playoffs, për ta siguruar një vend në Super Ligë, por vetëm kundër ekipeve si “mysafire fillestare” pasi që themeluesit janë anëtarë të përhershëm. Ky projekt ishte bazuar në Euroligën e Basketbollit.

Previous Next