Babai i Frenkie de Jongut, John de Jong, ka zbuluar në radion holandeze se Lionel Messi i kishte telefonuar të birit të tij për ta bindur atë t’i bashkohet Barcelonës.
Barcelona e zyrtarizoi para tri ditësh transferimin e yllit të Ajaxit, De Jong, për një shumë fillestare prej 75 milionë eurosh.
Mesfushori holandez do t’i bashkohet Barcelonës në fund të këtij sezoni, në një kontratë pesëvjeçare, transmeton Gazeta Express. Tani, babai i tij zbulon se ka qenë ylli argjentinas i Barcelonës që e ka bindur të birin e tij t’i bashkohet atij në Katalonjë. “Lionel Messi personalisht i telefonoi Frenkiet. Ishte e vështirë sepse Messi nuk flet anglisht”, tha John de Jong. Ky ishte një moment i rëndësishëm për holandezin, i cili gjithmonë ka qenë admirues i madh i fenomenit argjentinas. Në fakt. De Jong ka thënë në disa raste se ai shikon video të Messit, Xavit dhe Andres Iniestas në Youtube, pasi edhe dy mesfushorët spanjollë janë idhuj të tij. Roli i Messit ka qenë i rëndësishëm sepse De Jong praktikisht ishte bindur nga PSG-ja për t’u transferuar në Paris. Ai ishte takuar me presidentin e Barçës, Jose Maria Bartomeu, një figurë tjetër e rëndësishme në negociatat, por telefonata e Messit duket se ka qenë përcaktuese për ta sjellë holandezin në Camp Nou. De Jong do t’i bashkohet Barçës në verë, pas marrëveshjes mes dy klubeve që arrin shifrën 90 milionë euro me bonuse.