Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se taksa do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, po shihen si deklarata të cilat do duhej që ta përcillnin gjithë spektrin politik karshi kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Blic.


Ndërsa, deklarata tjetër e tij se nëse kryetari i i PDK-së, “Kadri Veseli dëshiron që ta heq taksën, le të bëhet kryeministër”, nga analistët po shihet si çështje e cila do të mund të bëhej edhe pa udhëheqjen e ekzekutivit nga ana e Veselit. Analisti i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri në një prononcim për Gazetën Blic tha se deklarata e kryeministrit, Ramush Haradinaj është shumë e qartë. Nuk ka pajtueshmëri me partnerin e tij në qeveri, Kadri Veselin. “Deklarata e kryeministrit është shumë e qartë. Nuk pajtohet me propozimin e Kadri Veselit. D.m.th herën e parë kur është propozua taksa janë pajtuar dhe është vendosë taksa, herën e dytë kur Kadri Veseli propozon që të pezullohet taksa, duket që kryeministri nuk pajtohet dhe thotë që ai as nuk do ta pezullojë taksën e as nuk do të dorë hiqet. Pra ia len mundësinë Kadri Veselit që vet ta heq taksën”, tha Tahiri. Ai, duke komentuar deklaratat e të parit të ekzekutivit, shpjegoi edhe mënyrën sesi krye-parlamentari do të mund ta pezullonte taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake edhe pa qenë në krye të Qeverisë. “Kadri Veseli po bën presion mediatik, por duket që nuk e ka proceduar zyrtarisht propozimin në Qeveri, sepse po të procedohet zyrtarisht në Qeveri, siç e ka bërë ministri Shala ose Enver Hoxhaj, përfaqësues i PDK-së, atëherë votohet dhe shihet se cili fiton.


Varësisht prej propozimit a fiton p.sh. propozimi i tij për pezullim, atëherë kryeministri vendosë a t’i nënshtrohet shumicës, siç është në demokraci apo do të jap dorëheqje. Nëse shkon propozimi zyrtarisht, që edhe duhet të shkojë, atëherë Qeveria duhet që me votim të deklarohet, nëse ma shumë janë anëtarë për pezullim, atëherë taksa pezullohet dhe ai vendim hyn menjëherë në fuqi, varësisht nëse kryeministri dorë-hiqet apo jo” tha ai. Ndërsa, për profesorin e të Drejtës Ndërkombëtare, Avni Mazrekun deklaratat e Haradinajt po shihen si pozitive karshi Serbisë. Mos pajtimet e klasës politike ai po i konsideron si fatkeqësi. “Mos pajtimet e klasës tonë politike dhe asaj pjesës që i takon opozitës dhe pjesës së pozitës në pozitë i ka karakterizuar në vazhdimësi deficiti i kontekstualitetit sa u përket temave nacionale. E para është është fatkeqësi e gjithë faktorit politik në Kosovë që nuk ka kontekstualitet sa i përket çështjes me Serbinë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me statusin e Kosovës. Kjo është fatale,kjo është fatkeqësi. Mendoj që është koha e fuindit që ti bashkërendojnë veprimet e tyre njëjtë qysh është duke bërë edhe Serbia. Opozita dhe pozita kur vjen puna te Kosova do duhej që të kenë qëndrime krejtësisht të njëjta sepse Kosova është në qendër finale.


Prandaj mendoj që ajo ana fatale e skenës tonë politike e pozitës dhe opozitës por edhe të këtyre që janë në pozitë është pikërisht si rezultat i kontekstualitetit” tha Mazreku. Ai në një prononcim për Gazetën Blic shtoi se mbajtja e taksës dhe deklaratat e Haradinajt janë në raport plotësisht të drejtë me atë çka quhet sovranitet i shtetit dhe se, siç u shpreh ai, Kosova e ka këtë moment të fundit që ta manifestoj sovranitetin. “Nuk mendoj që deklaratat e Haradinajt do të ndikojnë negativisht në bisedimet me Serbinë. Përkundrazi, mendoj që deklaratat e tij do të ndikojnë pozitivisht. Ndërsa, sa i përket raporteve me Serbinë, ajo është që po ndërton desktrivitet në raport me Kosovën, e jo Kosova ndaj Serbisë. Ne e kemi parë deri më tani në dekada e bisedimeve në forma të ndryshme me Serbinë” përfundoi ai. Ndryshe, gjatë ditës së sotme edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi bëri thirrje për pezullim të taksës 100%. Thaçi ka ritheksuar edhe një herë se duhet të dëgjohet edhe këshilla e ndërkombëtarëve. “Unë kam potencuar se dialogu duhet të vazhdohet i pakushtëzuar, prandaj mendoj se kjo këshillë nga institucionet e vendit duhet të respektohet. Jo të hiqet taksa por përmes një pezullimi t’i jepet hapësirë një procesi të gjithanshëm. Vendimi i takon Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit. Në shikim të parë duket se Serbia po dëmtohet, por nuk ka ndonjë çmim që paguan prishjen e raporteve me SHBA-të”, ka thënë ai.


Previous Next