Jose Mourinho mund të jetë trajneri i ardhshëm i Bayern Mynih, lajm që konfirmohet si nga mediat franceze ashtu dhe ato portugeze.
Pasi u shkarkua në dhjetor nga detyra e trajnerit të Manchester United dhe dështoi të marrë drejtimin e Real Madrid, portugezi mund të provojë një aventurë të re, këtë herë në Gjermani.
Ky sezon nuk ka qenë shumë i mirë për Bayern Mynih, që kryeson renditjen bashkë me Borussia Dortmund dhe dy javë më parë u eliminua nga Champions League.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit bavarez po mendojnë shkarkimin e trajnerit kroat Niko Kovac dhe synojnë t’ia besojnë këtë detyrë një trajneri me përvojë si Mourinho.
Sipas “Footmerca”, skuadra bavareze ka kohë që po e ndjek trajnerin dhe tani ka shansin ta afrojë në ekip, duke i dhënë kompetenca të plota.
Duket se edhe vetë Mourinho është dakord me projektin e ri që ka skuadra e Bayern dhe Bundesliga mund të jetë vendi i duhur për të nisur një aventurë të re dhe të suksesesshme.
Bayern ende nuk e ka konfirmuar trajnerin Kovac për sezonin tjetër, ndërkohë që PSG po rinovon me Tuchel.