Kosova ka uri për futboll të madh, si ai që u luajt të enjten në Prishtinë, ku Kosova e Danimarka barazuan 2:2, në një miqësore spektakolare. Stadiumi "Fadil Vokrri" ishte i tejmbushur, si zakonisht, ndërsa një tifoz nuk u përmbajt dot, duke u futur në fushë për të përqafuar idhullin e tij Christian Eriksen.
Mesfushori i Tottenham-it shënoi një gol me 11-metërsh, ndërsa pak minuta para fundit u befasua, kur dikush e mbërtheu nga pas dhe nuk e lëshonte.
Në fillim danezi mendoi mos ishte ndonjë lojtar kundërshtar, por më pas kuptoi se një tifoz ishte futur në fushë, për fakt të mirë vetëm për ta përqafuar.
"Po mendoja 'Çfarë dreqin po ndodh këtu?'. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë që dikush të futej në fushë për të më përqafuar. Megjithatë, nuk është asgjë shqetësuese, nuk më krijoi ndonjë problem. Ishte diçka e këndshme, por uroj të mos përsëritet më", tha Eriksen, duke folur për agjencinë e lajmeve Ritzau.
Tifozi dëshironte të merrte fanellën e Eriksenit pa përfunduar takimi, por gjithsesi pas mbylljes së sfidës mesfushori shkoi poshtë tribunës ku ishin një grup ushtarësh danezë dhe ua hodhi atyre fanellën. Të martën Danimarka do të nisë fushatën kualifikuese për Euro 2020, me një ndeshje delikate në Zvicër, ndërsa Eriksen premton një Danimarkë më të mirë se ajo në Kosovë: "Ishte një ndeshje e rrëmujshme, e vështirë. Kosova luajti edhe më mirë nga sa mund të luante, për shkak se kishte tifozë të zjarrtë që i dhanë një shtysë të madhe. Premtoj se në Zvicër do jetë një Danimarkë shumë më e mirë".