Një familje kosovare, e cila jetonte në Gjermani që nga viti 2015, është deportuar në Kosovë. Familja 5-anëtarëshe jetonte në Ingelheim, në rajonin e Frankfurtit.

Të martën rreth orës 4:30 të mëngjesit policia ua ka thyer derën e banesës, duke ua dhënë lajmin se duhet të dëbohen nga Gjermania.


Fqinja e parë e familjes kosovare, Anne Waßmann-Böhm, ka thënë se ndihet e befasuar me këtë veprim të autoriteteve gjermane. Familja është e integruar mirë, të tre fëmijët flasin gjermanisht në mënyrë të përsosur”, ka thënë ajo, shkruan Indeksonline.

Autoriteti përgjegjës për dëbimin e administratës së qarkut Mainz-Bingen këmbëngul se ata vetëm kanë zbatuar ligjin.

“Zyra e emigracionit është e lidhur me vendimet e Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) dhe siguron largimin e njerëzve nga vendi ynë. Dëbimi ishte i nevojshëm, sepse familja nuk donte largim vullnetar. Kërkesat ligjore për të drejtën për të qëndruar nuk janë plotësuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e autoriteteve të emigracionit.

Familjes iu kërkua të paketonte disa gjëra shpejt, krejt personale, ngase iu është thënë se po i pret aeroplani.

Ndërkohë, familja është kthyer në Kosovë, ku jeton me të afërmit për momentin.


Previous Next