Neçip Usyal mund të bëhej futbollisti i parë që do përfaqësonte shqiptarët e Turqisë në përfaqësuesen e Kosovës në futboll, mirëpo afrimi i anëtarit të Beshiktashit tek “Dardanët” nuk u finalizua asnjëherë.


Përveç deklaratave në medie nga Uysal dhe ish-selektori i Kosovës, Albert Bunjaki, Uysal duket se gjithmonë ka qenë larg kombëtares së Kosovës.

Mirëpo, futbollisti ka bërë një lëvizje të dukshme në lidhje me Kosovën. Mbrojtësi i skuadrës së madhe turke që dikur u “zbulua” si shqiptar nga Albert Bunjaki, tash po prezantohet haptas.

Në rrjetin social Instagram, Uysal ka publikuar një fotografi të flamurit të Kosovës, pranë atij të Turqisë. Ky veprim i 28 vjeçarit të lindur në Stamboll nga prindër shqiptarë shton thashethemet rreth të ardhmes së tij në karrierën me kombëtare.

Uysal kishte qenë pranë Kosovës tri vite më parë, kur ish-selektori Albert Bunjaki ishte shprehur i gatshëm ta afronte atë tek “Dardanët”. Bunjaki ishte shprehur optimist për afrimin e Uysalit, por kjo nuk ndodhi kurrë.

“Menjëherë pasi UEFA na pranoi, ne e kontaktuam Uysal-in dhe menaxherin e tij. Nexhip ka prejardhje nga Kosova dhe përfaqësuesja e Kosovës dëshiron që t’ia ofrojë atij këtë uniformë. Në bisedimet e para që kemi bërë jemi mjaft optimist”, kishte thënë Bunjaki në një intervistë për mediet turke më 2016.

Uysal ka zhvilluar vetëm një ndeshje me Turqinë.


Ai kishte debutuar me përfaqësuesen turke më 20 maj të vitit 2010 në një miqësore ndaj Hondurasit. Ajo ka qenë hera e parë dhe e fundit që futbollisti shqiptar ka luajtur me përfaqësuesen turke.

Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, mirëpo mund të alternohet shumë lehtë edhe në pozitën e mbrojtësit të qendrës. Mbrojtësi, stinorin e kaluar është shpallur kampion i Turqisë me skuadrën e Beshiktashit.



Previous Next