Ajo që të gjithë tifozët shqiptarë prisnin tashmë ka marrë edhe trajta zyrtare. Christian Panucci nuk është më trajneri i kombëtares kuqezi pasi është shkarkuar nga detyra vetëm pak orë pas humbjes ndaj Turqisë me rezultatin 0-2 brenda në Loro Boriçi.
Federata Shqiptare e Futbollit mëngjesin e kësaj të shtune ka bërë publike përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin që e kthehu Shqipërinë shumë vite prapa në kohë, përsa i përket lojës dhe rezultateve, duke i uruar suksese Panuccit në karrierën e tij të mëtejshme. FSHF bën gjithashtu me dije se në ndeshjen e së hënës ndaj Andorras në transfertë kuqezinjtë do të drejtohen nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema si dhe pjesa tjetër e stafit aktual. Ndërkohë që emri i trajnerit të ri do të zyrtarizohet gjatë ditëve në vazhdim me italianin Edoardo Reja që është favorit për të zënë vendin e Panuccit te Shqipëria.
Nga së mësohet nuk ka qenë pa arsye vizita e Rejës në Shkodër për të ndjekur nga afër kombëtaren kuqezi. Ish trajneri i Napolit dhe Lazios i cili ka një karrierë shumë të pasur në fushën e trajningut, në përfundim të duelit ndaj turqëve ka patur një takim kokë më kokë me presidentin Armand Duka ku mesa duket ka arritur edhe një marrëveshje për t’u ulur në stolin e kuqezinjëve. 73-vjeçari i cili eksperiencën e parë e ka patur te Atalanta në sezonin 2015-2016, nëse zyrtarizohet te Shqipëria do të drejtojë për herë të parë në karrierën e tij një skuadër kombëtare. Përsa i përket Panuccit, ish mbrojtësi i Romës, Milanit, Interit dhe Realit të Madridit në këtë 1 vit e gjysmë e drejtoi Shqipërinë në 15 ndeshje, duke regjistruar një bilanc shumë negativ me vetëm 4 fitore 2 barazime dhe 9 humbje.
Ja dhe komunikata e plotë e FSHF.
“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Christian Panucci. E falenderojmë trajnerin Panucci për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës. Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”.