Në Prizren është hapur panairi i punës, ku dhjetëra biznese do të ofrojnë mundësi për rreth 600 vende të punës, por edhe për kryerjen e praktikës. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se në kohën kur të rinjtë po ikin jashtë dhe bizneset po kërkojnë punëtor të kualifikuar, po e hapin këtë panair të punës, që t’ua mundësojnë takimin e bizneseve me punëtorët.


“Gjersa një problem i theksuar në Kosovë është që e kemi një numër të madh të të rinjve që kërkojnë punë, në të njëjtën kohë edhe bizneset ankohen që nuk mund të gjejnë njerëz të profileve e profesioneve të caktuara për t’i punësuar. Prandaj, sot në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” bëmë hapjen e Panairit të Punës, të organizuar nga Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyren Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ)”, ka thënë Haskuka, raporton FaktePlus.

Kreu i Prizrenit, ka shtuar se ky panair ka për qëllim bashkimin e bizneseve dhe punëkërkuesve, sidomos për të rinjtë në mënyrë që të mos kenë arsye të shkojnë jashtë.

“Ky panair ka për qëllim bashkimin e rreth 50 bizneseve me punëkërkuesit, që të kemi sa më shumë vende pune dhe mos të kemi njerëz që shkojnë jashtë Kosovës për të kërkuar punë. Panairi do të mbetet i hapur sot, deri në orën 16:00. Inkurajoj të gjithë të rinjtë e Prizrenit që të vijnë e të vizitojnë këtë panair dhe të shohin se cilat janë ato profile të cilët kërkohen nga punëdhënësit, të cilët kanë ofruar rreth 600 mundësi punësimi dhe punë praktike. Po ashtu iu bëj thirrje edhe të rinjve nga shkollat e mesme që të vizitojnë këtë panair për të parë se ku po zhvillohen bizneset e Kosovës dhe ku mund ta orientojnë veten”, është shprehur Haskuka



Previous Next