Zinedine Zidane analizoi situatën e tanishme, ndërsa këmbënguli se do të ketë ndryshime në fund të sezonit: “Natyrisht, duhet t’i përmirësojmë gjërat.

Motivimi i lojtarëve? Unë nuk jam në kokën e të gjithëve.


Ata janë lojtarë, të cilët kanë krenari dhe duan ta përfundojnë sezonin mirë. Humbja gjithmonë do të thotë se nuk shkon diçka, por kemi bërë gjëra të mira dhe duhet të mendojmë për këtë.

Real Madridi ka një raport të keq mes golave pro dhe kundër? Sezonin tjetër do ta shohim këtë gjë, këtë kampionat na ka penalizuar kjo gjë. Duhet të pranojmë se këtë sezon kemi pasur vështirësi për të shënuar. Do t’i ndryshojmë gjërat, patjetër.

Kemi edhe tetë ndeshje, të cilat duhet t'i mbyllim sa më mirë. Lojtarët mendojnë të njëjtën gjë. Ky sezon ishte i komplikuar, do të përpiqemi të ndryshojmë. Nevoja për këtë klub është të fitojë përsëri, të bëjë gjëra të mëdha. Dhe unë jam këtu për këtë.

Antic kritikoi Modric? Çfarë mund të them... Njerëzit mund të komentojnë si të duan. Ai e meritonte “Topin e Artë”, e ka fituar me punë dhe cilësi. Situata e Marcelo? Do ta shohim. Ai është një lojtar i rëndësishëm, edhe për shkak të asaj që ka bërë këtu. Dua të riaftësohet, gjithsesi, për ta përfunduar sezonin mirë. Ky është i vetmi shqetësim që kam për të.

Një muaj nga lëndimi i Vinicius? Nuk mund të them se kur do të kthehet, por po përparon shumë mirë.


Ai është tashmë në fushë, stërvitet dhe e shoh shumë mirë nga ana psikologjike. Porta dhe merkatoja? Nuk e di saktësisht se kush do të qëndrojë e kush do të largohet. Edhe po ta dija, nuk do t'jua tregoja. Ka kohë për këtë.

Hazard? Ai është një lojtar, që e kam vlerësuar gjithmonë, të gjithë e dinë. Hazard ka luajtur në Francë, e kam parë shumë dhe e njoh personalisht. Eshtë një lojtar fantastik. Megjithatë, do të flasim në fund të sezonit për gjëra të tilla".

Previous Next