UEFA dhe Andrea Agnelli, presidenti i Shoqatës së Klubeve Europiane (ECA) ka kohë që po diskutojnë për një reformë në Champions League dhe duket se kanë gjetur marrëveshjen për të ndryshuar gjithçka, duke krijuar një format të ri,
me 4 grupe me nga 8 skuadra, me klubet historike që futen në Champions me ftesë ekskluzive dhe me sistem ngjitje-zbritje, me 3 kategori.
Një format i tillë ka bërë që Bundesliga gjermane të dalë kundër, por presidenti i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, është i bindur se ndryshimi nuk mund të ndalet dhe se duhet bërë gjithçka është e mundur për të përfituar maksimalisht.
"Kjo reformë, Champions League apo Super League, quajeni si të doni, është e pandalshme dhe duhet të mbrojmë interesat e futbollit gjerman. Nëse modeli i propozuar, që nuk është i yni, aprovohet me shumicë votash, do të jemi përpara një vendimi të vështirë: pranojmë, ose refuzojmë dhe vazhdojmë të vetëm. Në atë rast, futbolli gjerman do të vdiste".
Gjermania dhe Anglia ankohen më së shumti me skemën "piramidë", me ngjitje dhe zbritje në kategori: "Ne duam më shumë mundësi kualifikimi nëpërmjet kampionateve, klubet duhet të kenë stimulin që të ndeshen me ekipe të mëdhenj", tha Watzke.
Presidenti i Dortmundit ka lëshuar edhe një paralajmërim për Bayernin: "Sezonin e ardhshëm do të jemi edhe më agresivë. Duam titullin kampion, do të jemi gjithnjë e më ambiciozë, për të treguar se nuk jemi më thjesht forca e dytë e futbollit gjerman, por edhe rivali numër 1 i Bayernit për titull. Financiarisht jemi shumë larg me Bayernin, nuk jemi aq budallenj sa të themi se e kemi titullin detyrim, por nëse qëndrojmë çdo vit në garë deri në fund, do ishte goxha arritje".