Për shkak të ndeshjes ndërmjet Feronikelit dhe The New Saints që luhet sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drejtoria Rajonale e Policisë në kryeqytet ka marrë disa masa.
Sipas tyre, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.
Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.
Në këtë kontekst, policia do të ndërpresë qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia”.Operacioni në fjalë do të fillojë të implementohet sot nga ora 16:00 deri 23:00, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkohet ndihma, besimi dhe mirëkuptimi i të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht luten qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura.