Gianluigi Buffon edhe zyrtarisht është lojtar i Juventusit.
Pas një viti larg Torinos, Gianluigi Buffon është rikthyer në Juventus, pasi ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare që do ta lidhë atë me klubin deri më 30 qershor 2020.
Gigi kaloi 17 vjet te Juventus, duke luajtur 656 ndeshje në të gjitha garat dhe duke fituar pothuajse të gjithë trofetë e rëndësishëm, shkruan lajmi.net.
Portieri italian ishte pjesë e Paris Saint-Germain, por vendosi ta refuzonte ofertën e tyre për të qëndruar edhe një vit në Francë.
Buffon luajti në 17 ndeshje në Ligue 1, duke fituar 13 prej tyre – ndërsa shtoi në kabinetin e tij të trofeve kampionatin vendor dhe Superkupën e Francës.
Pas përfundimit të kontratës, 41-vjeçari pritet të ushtrojë detyra të reja në bordin e Juventusit.
Te Juventus, Buffon ka zgjedhur numrin 77 në fanellë.
Në të kaluarën, Buffon ka pasur numrin 1, i cili tashmë mbahet nga Wojciech Szczęsny.