Arturo Vidal ka lënë sërish një derë të hapur për t’u përfolur në merkaton e transferimeve. Mesfushori kilian shumë i kërkuar në merkaton e verës së shkuar, me një rikthim të mundshëm në Itali dhe mundësisë së bashkimit me ish-trajnerin e tij te Juve, Antonio Conte aktual i Chelseat, ka lënë të nënkuptohet në një intervistë për ‘Kicker’ se ai edhe mund të largohet në fund të sezonit nga Bayern Munchen. “Unë do të qëndroj këtu deri në verë, më pas do të shikojmë se çfarë mund të ndodhë”, deklaroi mesfushori, që ka një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2019 me Bayern Munchen. Vidal ishte një ndër objektivat kryesorë të Interit gjatë verës, por trajneri Ancelotti që drejtonte skuadrën në atë kohë, refuzoi transferimin e tij.
