Nuk e bëri statujën e Ronaldos ashtu siç e prisnin të gjithë herën e parë, kjo ia ka vështirësuar jetën artistit, Emanuel Santos, por tani ka korrigjuar gjithçka.

Është zëvendësuar statuja e Ronaldos në Madeire të Portugalisë, pas kritikave të shumta për mos ngjashmërinë me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Një mundësi e dytë i jepet gjithmonë të gjithëve dhe kjo ka ndodhur me Emanuel Santos, skulptori që një vit më parë realizoi statujën e Cristiano Ronaldo, me rastin e ceremonisë së inaugurimit të aeroportit “Cristiano Ronaldo” në Madeire të Portugalisë.

Skulptura u bë e famshme për kritikat e shumta si pasojë e mungesës së ngjashmërisë me talentin e Real Madridit.

Në këtë mënyrë “Bleacher Report” takoi artistin në Portugali dhe i propozoi të bënte sërish bustin e CR7.

Sfida u pranua dhe u fitua nga Emanuel Santos, i cili e realizoi shumë mirë ngjashmërinë këtë herë dhe me vetë kërkesë të Cristiano Ronaldos statuja në aeroport u ndryshua.

Për “Bleacher Report” artisti ka treguar vështirësitë që ka hasur pasi nuk e bëri mirë statujën herën e parë, teksa në një moment shpërtheu edhe në lot.

“Ka qenë e vështirë për mua, për familjen time, por fatmirësisht tashmë gjithçka ka kaluar”, tha Santos.

Por, sot ai mund të ndihet krenar, pasi statuja në aeroportin “Cristiano Ronaldo” në Madeire të Portugalisë është zëvendësuar dhe është ashtu siç të gjithë e duan.

Previous Next