Përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challendes , në paraqitjen para gazetarëve e ka nisur në shqip me fjalën “Faleminderit” për mundësinë që i është dhënë për ta drejtuar Kombëtaren e Kosovës. 

“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që të punoj për Federatën e Futbollit e Kosovës. E njoh pasionin që e kanë njerëzit këtu për futbollin dhe për mua është shumë domethënëse që e marrë drejtimin e kësaj kombëtareje. Kosova është një shtet i ri që ka 10 vjet pavarësi, derisa ekipi është edhe më i ri. I kam shikuar të gjitha ndeshjet që i ka luajtur Kosova dhe deri tash është bërë një punë e madhe. Tash duhet të fillojmë të punojmë edhe më shumë, të marrim eksperiencë por edhe të bëjmë progres. Ekipi është i formuar, por dua që të krijojmë një familje. Është shumë më e rëndësishme që ekipi të jetë më i lidhur. Kemi shumë lojtarë në Zvicër dhe vendet e tjera. Do ta formojmë një ekip shumë të mirë dhe kjo është detyra ime. Lojtarët individual nuk mjaftojnë për t’u kualifikuar. Nuk po flas këtu për kualifikimin, por po flas për me formu një ekip dhe të ecim përpara. Në qoftë se vazhdojmë kështu e kemi mundësinë për të fituar dhe për t’u kualifikuar. Jam duke i përcjellur të gjitha gjeneratat dhe do të bashkëpunojë me trajnerët e secilës grupmoshë, mirëpo primare për mua është Kombëtarja A. E njoh mentalitetin e futbollistëve tuaj, pasi kam punuar me shumë futbollistë nga Kosova që luajnë në Zvicër. Ata kanë mentalitet fitues dhe për këtë arsye kam ardhur ta drejtoj këtë ekip. Dua ta formoj një ekip fitues dhe të ecim së bashku përpara. Futbollistët e Kosovës janë driblues të mirë, kanë teknik të mirë, por janë edhe vrapues. Jam i entuziasmuar që pas pak ditësh do t’ia fillojë punës me dy ndeshjet miqësore kundër Madagaskarit dhe Burkina Fasos”, është shprehur Challendes.

Previous Next