Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e bën të qartë se ai nuk do të mund të përsëritë eksperiencat e jashtëzakonshme të Sir Alex Ferguson dhe Arsene Wenger, që kanë qëndruar për më shumë se dy dekada në krye të të njëjtit ekip, respektivisht te Manchester United dhe Arsenali.

Trajneri gjerman ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2022, por nuk e sheh veten për një kohë shumë të gjatë në Anfield.

“Pas 20 vitesh unë do të kem mbushur 70 vjeç. Ju garantoj se nuk do të jem këtu”, ka thënë Klopp.

Sipas trajnerit gjerman, futbolli ka ndryshuar shumë kohët e fundit dhe një trajner e ka të pamundur të punojë për një apo dy dekada në të njëjtin ambient.

“Unë i respektoj shumë të dy këta trajnerë për gjithçka kanë bërë dhe arritur në futboll”.“Por duhet të them se 15 vitet e para të karrierës së tyre Fergusoni dhe Wengeri i kanë kaluar sikur të ishin me pushime. Nuk kanë të krahasuar me 15 vitet e fundit. Trajnerët e sotëm kanë shumë më tepër presion në punën e tyre. Nuk ekzistojnë mundësitë që unë sot të qëndroj për një kohë kaq të gjatë te Liverpooli”, ka përfunduar ai.

Previous Next