Manchester City vazhdon të dominojë në Angli me rezultate dhe lojë të bukur.
Jamie Carragher ka mbetur i mahnitur nga paraqitjet e Manchester Cityt këtë stinor dhe sipas tij, skuadra e Pep Guardiolas luan futbollin më të bukur në Evropë.
Kryesuesit e Premier Ligës kanë qenë të pamëshirshëm ndaj Arsenalit në dy ndeshjet e zhvilluara brenda katër ditësh, duke fituar të dyja me rezultat identik 3:0, fillimisht të dielën në finalen e Kupës Carabao e më pas mbrëmë në Emirates në kuadër të Premier Ligës.
Carragher i ka cilësuar si fantastike këto ndeshje të Cityt.
“Atë që pamë ndaj Arsenalit është futbolli më i mirë në Evropë”, ka thënë Carrager për Sky Sports.
“Mbetet të shihet nëse City ia del të triumfojë në Ligën e Kampionëve, por futbollin që ata kanë zhvilluar ndaj Arsenalit ishte thjesht fantastik”.
“Ky është futbolli më i bukur që kam parë ndonjëherë në këtë ligë dhe e dimë se Anglia ka pasur gjithnjë klube të mëdha”, tha Carragher.
City është duke kryesuar bindshëm tabelën në Premier Ligë me 75 pikë, 16 më shumë se ndjekësi i parë Manchester United.