Sipas disa shkresave dhe e-mailve zyrtare që i ka siguruar “Zëri” del se Lennart Johansson ishte thuajse mbështetësi më i madh i Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

 Ish-presidenti i UEFA-s qysh në vitet 2006 – 2007 e kishte vendosur rastin e Kosovës në agjendën e UEFA-s.

Për këtë punë suedezi po punonte seriozisht me Albert Bunjakin. Ky i fundit përmes Johanssonit e kishte zgjeruar rrethin te njerëzit me ndikim në UEFA. Por, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës Johansson ishte detyruar t’ia dorëzojë postin e presidentit Michel Platinit, duke ia lënë “amanet” që ta vazhdojë bashkëpunimin me Bunjakin për rastin e Kosovës. “Zëri” e posedon letrën përmes së cilës Platini e siguronte Johanssonin se do ta ketë parasysh çështjen e Kosovës edhe pse ende nuk e kishte zgjedhur statusin politik.

Pas pak muajsh Kosova do t’i bëjë dy vjet prej se është anëtarësuar në UEFA e në FIFA. Pas dy dekadash nën izolim të plotë futbolli kosovar doli në dritë në maj të vitit 2016 kur UEFA vendosi ta pranojë si anëtare të re Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën thuajse menjëherë e pranoi edhe FIFA, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Dhe historia e rrugëtimit të Kosovës drejt këtyre dy organizatave mund të shërbejë për një skenar filmi, ku pa dyshim që role të rëndësishme do të luanin ish-presidenti i UEFA-s Lennart Johansson, pasardhësi i tij Michel Platini dhe kosovari i njohur Albert Bunjaki.

Gazeta “Zëri” ka siguruar shkresa zyrtare të cilat dëshmojnë se ish-presidenti i UEFA-s Lennart Johansson, por edhe bashkëpunëtorët e tij e kishin futur në agjendën e tyre rastin e Kosovës qysh para shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Gjithçka po bëhej në heshtje të plotë. Me njerëzit më të mëdhenj të UEFA-s në atë kohë po negocionte Albert Bunjaki, i cili edhe ishte i autorizuar për t’u marrë me këtë punë nga institucioni më i lartë i futbollit në Kosovë, FFK-ja.

Previous Next