Neymar Junior qëndron në PSG. Braziliani ka folur për të ardhmen pas një vizite në institutin Neymar Jr. në Sao Paulo.

26 vjeçari brazilian ka insistuar se nuk e ka ndërmend të lëvizë nga kampioni i Francës, duke i dhënë sinjale Real Madridit se nuk do ta veshë fanellën e bardhë.

“Unë do vazhdoj, kam një kontratë me Paris Saint-Germain dhe shkova atje për një sfidë, për të provuar gjëra të reja dhe për të arritur objektivat. Asgjë nuk ka ndryshuar në mendjen time”, tha sulmuesi brazilian për “Fox Sports” në Sao Paolo gjatë një eventi për bamirësi.

“Media ka spekuluar shumë, kjo temë është bërë e mërzitshme, por të gjithë e dinë se sa e dua presidentin, qytetin dhe të gjithë tifozët”, tha Neymar për presidentin Nasser Al Khelaifi dhe për tifozët parizien.

Sulmuesi i Brazilit foli edhe për eliminimin nga Kupa e Botës, të cilin e shpjegoi kështu:

“Për fat të keq ndodhi, e vuajtëm por tani kemi zgjedhur të jemi të lumtur, kemi shumë arsye për të qenë të lumtur”, shtoi më tej ai.

Neymar foli edhe për yllin e këtij momenti, Kylian Mbappe, të cilin e përgëzoi për titullin kampionë bote dhe shtoi se ka biseduar shumë me francezin gjatë Kupës së Botës.

Për nënshkrimin e fundit të PSG, Gianluigi Buffon, ai tha: “Është nder të luash me portierin më të madh italian, për historinë e tij dhe për personin që ai është. Ai ka shumë për të na dhënë dhe ne duam që ai të na kalojë nga përvoja e tij”, tha ai.

Previous Next