Inspektori i UEFA-s, Mark Blackbourne, është ndarë i kënaqur me punët që janë bërë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe e ka dhënë dritën e gjelbër që të zhvillohet ndeshja testuese, ku do të merret vendimi se a i plotëson kriteret ndërkombëtare apo jo.

Sporti në KTV merr vesh se zyrtari i UEFA-s, që e shikoi çdo detaj, ka dhënë disa vërejtje të vogla, të cilat mund të rregullohen brenda ditës dhe kanë të bëjnë me vendosjen e gjërave lëvizëse, në pjesë të caktuara të stadiumit.




“Gjërat kryesore që janë testuar kanë qenë në rregull dhe nuk ka pasur asnjë problem. Ai është ndarë i kënaqur me të gjitha testimet që ka bërë. Po ashtu, ka dhënë disa vërejtje të vogla, të cilat rregullohen brenda ditës. Ato kanë të bëjnë me vendosjen e gjërave lëvizëse në stadium, të cilat mund të rregullohen shpejt”, i ka thënë KTV-së një zyrtar i lartë i FFK-së.

Kohavisioni ka provuar të marrë një prononcim nga Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, por ata nuk kanë dashur të flasin për media. Të dy bashkë, të mërkurën, do të dalin në konferencë për media, për të treguar për vizitën e inspektorit të UEFA-s.

Ndeshja testuese do të zhvillohet të hënën ndërmjet Dritës dhe Prishtinës në kuadër të Superligës së Kosovës dhe nëse stadiumi nuk e kalon testin, do të organizohet edhe një ndeshje e dytë dhe e fundit testuese.

Rreth 10 milionë euro i ka kushtuar shtetit rinovimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili të hënën edhe zyrtarisht e mori emrin e legjendës së futbollit kosovar.

Previous Next