Futbollistët e Volfsburgut mund të përfundojnë si pjatalarës pas çdo vakti të ekipit të tyre, si pjesë sanksioneve që klubi i Bundesligës gjermane ka parashikuar ndaj lojtarëve në rast gabimesh.
Trajneri Bruno Labbadia tha për të përjavshmen sportive “Sport Bild”, se ekipi po shqyrtonte një sërë masash penalizuese në vend të gjobave për lojtarët.
“Nganjëherë, mund të jetë më e frytshme kur futbollistët lajnë pjatat, apo pastrojnë pas çdo vakti ngrënieje. Po kështu, ata mund të punojnë për shpërndarjen e mjeteve të stërvitjes, duke ndihmuar personin e punësuar për këtë qëllim gjatë seancave stërvitore. Kjo s’është shaka dhe do të bëhet vetëm për stafin”, u shpreh Labbadia. Trajneri bëri gjithashtu të ditur se gjatë javëve të fundit, bashkë me ekipin, kishte punuar dhe përgatitur një kod të ri sjelljeje, me nene që përfshijnë respektin, rregullat për përdorimin e telefonave celularë dhe rregullin e përgjithshëm brenda klubit.