Përjashtimi i Valon Behramit nga kombëtarja e Zvicrës, duket se do të sjellë shumë pasoja në këtë skuadër, duke qenë se pas tij, janë përjashtuar edhe lojtarë të tjerë si Xhemaili, Fernandez, Xhuru dhe me shumë gjasa do të largohet edhe kapiten Stefan Lishtajner.
Në fakt, vendimi për të përjashtuar këto lojtarë, e sidomos Behramin, nuk është pritur aspak mirë nga tifozët, por edhe nga mediat zvicerane të cilat e konsiderojnë këtë një padrejtësi.
Media të ndryshme në Zvicër, nga më prestigjozet kanë kërkuar që këtij vendimi për të larguar protagonistët e Botërorit t’i shkohet deri në fund edhe tani është radha e teknikut Vladimir Petkoviç për të marrë valixhet.
Dështimin në Kupën e Botës, këto media ia faturojnë pikërisht trajnerit, i cili sipas tyre nuk ka ditur të bëjë siç duhet punën e tij dhe këtë e tregojnë mjaft mirë statistikat.
“Në dy kompeticionet e fundit, kemi luajtur 8 ndeshje dhe kemi fituar vetëm 2 e si për ironi të fatit, kemi fituar vetëm ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë. Festimi me shqiponjë duhej menduar, por nuk u mendua dhe tani është normale që pas Botërorit të ketë lëvizje në skuadër. Ne nuk arritëm asgjë më shumë se sa nga koha kur në krye të stolit ishte Hitzfeld. E pranojmë që duhen ndryshime, edhe në stol duhen ndryshime dhe duhet një trajner i ri”, shkruhet në gazetën “Blick”.
Ata i mëshojnë shumë faktit që përveç vendimit për të përjashtuar lojtarët, drejtuesit po sillen si amatorë edhe te mënyra se si po u jepet lajmi dhe për këtë merret shembull përjashtimi i Valon Behramit që u bë nëpërmjet një telefonate që zgjati vetëm 30 sekonda dhe u bë pikërisht nga Petkoviç, miku më i mirë në skuadër i mesfushorit.