Manchester United ka korrur një fitore në ndeshjet miqësore në kuadër të International Champions Cup.

Djajtë e Kuq triumfuan para shikuesve të pranishëm në stadiumin e Miamit kundër Real Madridit me rezultat 2-1.

Pas takimit ka folur trajneri i madrilenëve, Julen Lopetegui, i cili ka lavdëruar lojtarët për lojën e shfaqur ndaj anglezëve.

“Ne përpiqemi që të nxjerrim maksimumin nga skuadra që kemi, tani ne po kalojmë në faza të ndryshme të ndeshjeve parasezonale”.

“Ne gjithmonë duam të fitojmë, në këtë rast duam të rritemi si një skuadër, për ta (Unitedin) ishte loja e pestë, ata kanë gjuajtur vetëm dy herë në golin tonë. Ekipi ka treguar personalitet dhe gjëra shumë pozitive. Të pranueshme dhe duke ndërmarrë hapa përpara”, tha spanjolli.

Ai më tutje foli rreth debutimit të Vinicius Jr. dhe ndikimi i Gareth Balet në skuadrën post Cristiano Ronaldo.

“Vinicus ka bërë një lojë të mirë, ashtu sikurse të gjithë lojtarët e tjerë. Ai ka kryer detyrat e vendosura nga unë”.

“Thashë se kemi një ekip lojtarësh të shkëlqyer dhe do të përpiqemi të bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm edhe me Balen”, tha ish-trajneri i kombëtares së Spanjës.

Pas kësaj, United ka pesë pikë në renditjen tabelore gjersa kjo ishte ndeshja e parë e Realit dhe ka mbetur pa pikë.

Në takimin e radhës Manchesteri do të takohet me Bayern Munichun gjersa kampionët e Evropës do të takohen me Juventusin.

Previous Next