Ka kaluar më pak se një muaj që nga mbyllja e Kupës së Botës në Rusi dhe mbrëmjen e së premtes futbolli i rëndësishëm do të kthehet përsëri. Premier League, në fakt, do të hapë sezonin e ri me ndeshjen që do të zhvillohet në “Old Trafford” mes Manchester United-Leicester.
Për Jose Mourinho-n fillimi i kampionatit ka ardhur më shpejt nga sa do të kishte dashur ai. Nemanja Matic, Antonio Valencia, Marcos Rojo dhe blerja e re, Diogo Dalot, janë të gjithë të dëmtuar, ndërsa Marouane Fellaini, Jesse Lingard, Ashley Young, Paul Pogba, Phil Jones dhe Romelu Lukaku kanë pak kohë që janë bashkuar me ekipin pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës. Për më tepër, Eric Bailly dhe Ander Herrera kanë marrë disa goditje në ndeshjen e fundit të fazës parapërgatitore dhe janë në dyshim.
Situata e Leicester mund të mos jetë aq e keqe, por edhe ata do të kenë mungesa të rëndësishme në ekip. Trajneri Claude Puel ka konfirmuar se Harry Maguire dhe Jamie Vardy nuk do të luajnë kundër United. Ndërkohë, Jonny Evans, Nampalys Mendy dhe blerja e re James Maddison janë në dyshim për shkak dëmtimesh. Asnjë nga këto dy skuadra nuk ka shkëlqyer në fazën përgatitore.
Manchester United e kaluar pjesën më të madhe të muajit të kaluar në Amerikë, por kanë fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e luajtura atje. Në miqësoren e fundit ka ardhur një humbje 1-0 të pësuar kundër Bayern javën e kaluar. Kjo ecuri përfshin barazimet e regjistruara kundër Club America dhe San Jose Earthquakes dhe një humbje 4-1 kundër Liverpool. Ndërkohë, Leicester ka marrë vetëm dy fitore në pesë miqësoret që kanë luajtur gjatë fazës përgatitore.
Statistika
– Manchester United ka marrë katër fitore dhe dy barazime në gjashtë ndeshjet e fundit të luajtura kundër Leicester, me takimin e fundit që është mbyllur në barazim 2-2.
– Romelu Lukaku, Jesse Lingard dhe Paul Pogba kanë kontribuuar në realizimin e 44% të golave të shënuar sezonin e kaluar nga United dhe pritet të mos luajnë në këtë ndeshje.
– Në katër nga gjashtë ndeshjet e luajtura nga United në fazën parasezonale, janë shënuar më pak se tre gola, me “Djajtë e Kuq” që kanë pasur një mesatare 0.83 gola për ndeshje.