Rikthimi i Paolo Maldinit në skuadrën e vetme, të cilës i besoi karrierën futbollistike, ka entuziazmuar tej mase tifozët e Milanit.

Ish-mbrojtësi legjendar u prezantua si drejtor i Zhvillimit Strategjik dhe do të ndihmojë ekipin kuqezi të ringjitet në nivelet e larta, pikërisht aty ku më parë kapiteni frymëzonte ekipin në trofe prestigjiozë.




“Leonardo dhe drejtuesit më ekspozuan një projekt, në të cilin besoj. Nuk e kam refuzuar kurrë Milanin, por bisedimet nuk shkuan mirë me Barbara Berlusconin, ndërsa me ish-drejtuesit kinezë nuk arrita as të përcaktoja rolin tim. Ndiej përgjegjësi të veçantë, në një klub ku ka qenë më parë babai im, kam qenë unë dhe janë tashmë fëmijët e mi. Diçka ndryshon, por që prej vitit 2009 nuk kam parë ndryshime të mëdha nga ana taktike. Besimi dhe dëshira për trofe mbeten përgjithmonë”, tha Maldini në konferencën për shtyp të prezantimit të tij.

Ish-mbrojtësi ikonë i Milanit dhe kombëtares italiane iu rikthye sërish lamtumirës mes polemikave me ultrasit kuqezi.

“Nuk duhet të rindërtoj asgjë në këtë raport, sepse tifozët më duan. Ajo ditë do të mbetet aty ku është, pasi tani nuk dua ta mendoj”, tha Paolo Maldini.

Në ndeshjen e fundit me Milanin, para 9 vitesh, një grup tifozësh kontestuan fuqishëm ish-kapitenin Maldini, aq sa ta çonin thuajse në një dështim ceremoninë nderuese, vetëm për shkak të disa përplasjeve të parëndësishme pas finales së Stambollit, ndaj Liverpoolit në Champions League.

Previous Next