Blerjet e Lazios në afatin kalimtar janë paraqitur paa medieve në ditën e tyre të parë me klubin bardhekaltër. 

Njëri prej tyre është dhe mesfushori nga Kosova i ardhur nga Salzburgu, Valon Berisha. 25 vjeçari theksoi se të luaj për Lazion ishte një ëndërr e bërë realitet.

“Për mua është një ëndërr të luaj për Lazion dhe për të zgjedhur këtë klub ishte e lehtë. Atmosfera këtu është shumë e mirë, ka shumë lojtarë me personalitet. Jam i ri, por kam goxha përvojë ndërkombëtare. Dua t’u tregoj të gjithëve talentin tim. Uroj të jemi ndër 5 të parët në Serie A. I falënderoj të gjithë, duke filluar nga Tare. Jam pjesë e një klubi të madh. Vij pas një sezoni të mirë me Salzburgun dhe shpresoj të bëj më të mirën këtu”, ka thënë Berisha.

Përveç lojtarëve, ka folur edhe drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, i cili ka dhënë vlerësimet e tij për çdo lojtar të afruar, veçanërisht për Berishën dhe Durmishin:

“Për mua është një kënaqësi e madhe të prezantoj Berishën. Nuk e kam fshehur admirimin tim për të. Ka diçka që prezanton shpirtin e klubit tonë. Ai është një luftëtar, një lojtar që nuk dorëzohet kurrë. Jam vërtet shumë i lumtur që ka ardhur te Lazio. E kemi ndjekur prej 3-4 vjetësh. Kur erdhi mundësia për ta mbyllur marrëveshjen, nuk hezitova. Durmishi ka karakteristikat e duhura për modulin tonë të lojës. Ka nevojë për kohë që të hyjë në mekanizmat e skuadrës, por jam i bindur se do të jetë i vlefshëm për Lazion”, përfundoi ish-bomberi kuqezi.

Previous Next