Ish-kapiteni i Chelsea, John Terry, e ka hedhur poshtë mundësinë që të luajë për Spartak Moskën, përkundër ofertës luksoze nga klubi rus.
37-vjeçari e kaloi sezonin e kaluar Aston Villa që nuk arriti të rikthehej në Ligën Premier, ashtu që fundi i qershorit ka mbetur pa kontratë. Qendërmbrojtësi iu nënshtrua testeve mjekësore te Spartaku dhe pritej ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit rus. Ai do të përfitonte 3.36 milionë euro për të luajtur një sezon në Rusi, mirëpo tash ka bërë të ditur se bisedimet kanë dështuar. “Pasi e mendova mirë, vendosa ta refuzoja kontratën e ofruar nga Spartak Moska. Dua ta falënderoj Spartakun dhe t’u uroj sukses si klubit ashtu edhe tifozëve për pjesën e mbetur të sezonit. Është një klub ambicioz dhe më ka lënë shumë mbresa profesionalizmi i tyre”. “Mirëpo, pasi e kam analizuar këtë transferim me familjen time, vendosëm se nuk është lëvizja e duhur për ne në këtë periudhë. Me fat Spartak”, ka shkruar Terry në një postim në Instagram. Futbollisti anglez e nisi karrierën te Akademia e West Hamit, ndërsa në moshën 14-vjeçare iu bashkua Chelseat, ku regjistroi mbi 700 paraqitje. Në karrierën mbresëlënëse me Blutë, ai fitoi pesë tituj të Ligës Premier dhe trofeun e vetëm të Ligës së Kampionëve në sezonin 2012/2013.