Ndryshe nga çfarë bëri në përfundim të ndeshjes së vlefshme për Champions League, të fituar të martën ndaj Viktoria Plzen, me rezultatin 2-1, drejtori i Real Madridit për marrëdhëniet institucionale, Emilio Butragueno, në përfundim të El Clasico, të përfunduar me disfatën e thellë të Realit në “Camp Nou” me rezultatin 5-1, nuk konfirmoi të ardhmen e trajnerit Julen Lopetegui në krye të ekipit, duke iu shmangur pyetjes për fatin e teknikut.
“Është qesharake, sepse ata ishin më mirë në pjesën e parë, ndërsa ne në pjesën e dytë patëm raste dhe nëse do t’i kishim shfrytëzuar ato, atëherë do të ishim dëshmitarë të një tjetër ndeshje. Por, ne nuk ia dolëm dot të realizonim dhe me futbollistë të asaj kategorie… goli i tretë pastaj ishte përcaktues dhe kundërsulmi na bëri shumë dëm. Mendoj se rezultati është një ndëshkim i tepërt, por efektiviteti është thelbësor dhe Barcelona ishte shumë efektive. Nuk jemi aspak të kënaqur, na vjen keq për tifozët e Real Madridit, sot humbëm të gjithë. Urime Barcelonës dhe suksese në vijim”, deklaroi drejtori madrilen. “Në këto lloj ndeshjesh ka momente që janë deçizive dhe ne i patëm ato në fillim të pjesës së dytë, por veç mungesës sonë të finalizimit, edhe presioni i kundërshtarit ishte efektiv dhe bëri që të na kushtojë shtrenjtë. Në pjesën e dytë, që ishte më e mirë për ne patëm dy shanse me Ramos dhe Modric, por pastaj pësuam golin e tretë që na dëmtoi shumë. Ky nuk është momenti të flasim për Lopeteguin, ai sapo përfundoi ndeshjen dhe kjo është një mbrëmje e keqe për të gjithë”, përfundoi Butragueno.