Fatin duhet ta kërkosh, ose më saktë, fitosh… E mbani mend filmin që fitoi Oscar në vitin 2009, “Slumdog Millionare”? Ngjarjet që zhvillohen në Indi dhe protagonisti, një djalë i quajtur Jamal Malik, i rritur në varfëri, skamje dhe mes problemeve për të siguruar bukën e gojës, merr pjesë në programin më të ndjekur televiziv, “Kush dëshiron të bëhet milioner?”…


Jeta i kishte mësuar shumë, edhe pse ende ishte në moshë të re… Producenti dhe drejtuesi i emisionit i kërkoi disa herë që të hiqte dorë dhe të pranonte zarfin me para për të mos rrezikuar të mbetej me një grusht me miza… Nuk e bëri, i shkoi deri në fund duke mos tradhëtuar moton e tij “ky është fati im!”. E pra, ai e kërkoi dhe e gjeti atë… Ndërkohë, historia më e bukur vjen nga Anglia, por bëhet fjalë për një italian: quhet Davide Lorenzo dhe është 24 vjeç. Deri pak ditë më parë punonte kamarier në një restorant në Petite Maison, më të famshmit në Nice. Ishte transferuar në Francë për të qëndruar më pranë të dashurës. Restoranti frekuentohet edhe nga njerëz futbolli dhe ai është i lidhur shumë me këtë sport. Ka qenë te të rinjtë e Torinos për të kaluar më pas te Juventusi. Por, pavarësisht pritshmërisë, Davide nuk arriti që të tregojë vlerat: huazime, sidomos jashtë Italisë. Më pas, vendimi për ta mbyllur me topin dhe të ndryshojë jetesë. Deri kur një ditë, në restorantin ku punonte mbërrin një person me xhaketë, i veshur serioz dhe me shumë para… Davide e njeh shumë mirë, pasi mrekullia që klubi i tij ka bërë në Premier do të mbahet mend gjithë historinë e futbollit.


Bëhet fjalë për pronarin e Leicester City, Vichai Srivaddhanaprabha… Një mbiemër që nuk mund ta lexosh mirë në herën e parë dhe që do të duhen të paktën 10 tentativa të mira. Por, mbiemri i tij nuk është shqetësimi i Lorenzo-s, që i afrohet me guxim dhe i tregon historinë e tij. Mundi ta bëjë sepse kishte mësuar anglisht në aventurën e shkurtër në Amerikë, te Cosmos. Vichai e dëgjon, e pyet nëse do të donte të luante të Tajlandë apo Belgjikë. Menjëherë, italiani thotë “po” dhe miliarderi tajlandez vendos t’i paguajë të gjitha shpenzimet e udhëtimit në Angli, qëndrimit në hotel dhe dietave ditore. Një mundësi e artë për ish-futbollistin që zgjodhi të bëhej kamerier, por që pasioni i vjetër iu ringjall, pasi priste atë, një mundësi, ose më saktë, fatin e tij. “Kur i thashë se kisha luajtur me të rinjtë e Juventusit, më pa shtrembër dhe më tha: dhe çfarë bën këtu?! i tregova historinë time, vështirësitë…Nisi të apasionohej. Sigurisht, eksperienca në Amerikë më ndihmoi, pasi mësova anglishten, ndryshe nuk do të mund të bisedoja aspak me presidentin e Leicester”, tha ai në rrëfimin e bërë. Tashmë, Lorenzo po stërvitet me Leicester dhe ka marrë edhe pëlqimin nga trajneri Puel dhe shokët e ekipit.


E ardhmja i trokiti sërish me një tjetër horizont, më të bukur se më parë. “Do të kisha dhënë gjakun për të luajtur në kategorinë e tretë italiane”, u shpreh futbollisti kohë më parë… Tani, do të duhet ta mbajë gjakun e tij, pasi do t’i duhet kur të luajë mes profesionistëve...

Previous Next