Maurizio Sarri është duke jetuar një ëndërr në Premier League, në krye të renditjes, pas tetë javëve të para të kampionatit atje, në shoqërinë e Liverpool dhe Manchester City.

Chelsea i tij tashmë duket se ka stilin e lojës, që e ka dalluar Napolin në vitet e fundit.


Sot, trajneri italian është rrëfyer për “Corriere dello Sport”. Sarri e fillon nga marrëdhëniet e tij me Napolin: “Do ta dua Napolin dhe tifozët atje për gjithë jetën time. Dhe e di se çfarë mendojnë për mua, ashtu siç unë mendoj për ta. Gjithmonë, e jona do të mbetet një dashuri e pathyeshme, e përjetshme. Jam impresionuar gjatë ndeshjes Napoli-Liverpool. Performancë e shkëlqyer, deri në frymën e fundit. Unë, si një tifoz i Napolit, u lumturova edhe për diçka tjetër, se doja që Liverpool, pasi shpenzoi aq shumë në “Sao Paolo”, të vinte i lodhur pak ditë më pas në “Stamford Bridge”. Më tej, Sarri ka një lavdërim surprizë: “Juventusi është i pakrahasueshëm. E kam provuar këtë sa isha në stolin e Napolit, duke rivalizuar me bardhezinjtë, e konstatoj edhe tani, kur skuadra e Allegrit është “arratisur”. Mendoj se këtë edicion, Juventusi mund të triumfojë në Ligën e Kampionëve. Unë shoh dy favoritë për këtë kompeticion: bardhezinjtë dhe Manchester City. Gjithmonë kam menduar se ekipi i Guardiolës është pjekur dhe rritur, sa të triumfojë edhe në nivel europian. Për mua, Champions-i do të jetë “një garë me dy kuaj”. Pastaj, duhet të shohim se si do të jenë dy gjigandët spanjollë në mars”.


Ai që i vjen në mendje trajnerit italian është Gonzalo Higuain: “Më mungon aq shumë, sepse ai është një makinë golash. Gonzalo u largua shpejt nga Napoli. Nëse do të kishte qëndruar edhe sezonin e ardhshëm, mendoj se do të kishim kushte për ta fituar titullin në Seria A. Higuain kishte hyrë në mekanizma fantastikë, kishte ndjenja mbresëlënëse me shokët e ekipit. Sulmues i përsosur”.

Previous Next