Vetëm një ditë pas suksesit historik të Përfaqësueses së Kosovës, një lajm tjetër i mirë ka ardhur nga Qeveria e Kosovës.
Kjo e fundit, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot e ka aprovuar kërkesën e FC Prishtinës për ndarjen e parcelës për ndërtimin e një kompleksi modern, planin e të cilit Bardhekaltrit e kanë qe një kohë.
Ministri i Sportit, Kujtim Gashi para kabinetit qeveritar e përcolli kërkesën e klubit më të madh në vend, i cili u aprovua unanimisht në mbledhjen e Qeverisë. “Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kushteve sa më të mira për sportin e Kosovës dhe bazuar në kërkesën e klubit futbollistik Prishtina, i cili ka qenë i autorizuar sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 15/68 i datës 09.10.2018 që t’i ndërmarrë të gjitha masat përgatitore, kërkoj nga Qeveria ta bëjë aprovimin për dhënien në shfrytëzim të parcelës me numër 1197/2 me sipërfaqe prej 100 mijë metra katrorë në zonën kadastrale Bërnicë e Poshtme – Prishtinë. Afati kohor për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone do të jetë 40 vjet dhe pa kompensim. Mënyra dhe kushtet për shfrytëzimin e kësaj prone do të përcaktohen me kontratë, që do të lidhet në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesit”, ka thënë ministri Gashi.