Pep Guardiola i ka bërë thirrje Barcelonës, që të marrë një rol udhëheqës në luftën e Katalonjës për pavarësi.
Trajneri i Manchester City ka qenë mbështetës i qartë i një referendumi, që duhet të mbahet, sipas tij, për të vendosur nëse rajoni duhet të bëhet i pavarur nga Spanja.
Megjithatë, votimi i fundit publik për këtë çështje u konsiderua i paligjshëm nga autoritetet spanjolle dhe nxiti një goditje masive nga policia, që sulmoi votuesit dhe arrestoi shumë nga organizatorët e referendumit. Por, lëvizja për pavarësi është ende e fortë, ndaj katalanasi “24-karatsh” dhe ish-trajneri i Barcelonës i ka bërë thirrje klubit për t’u vënë në ballë të përpjekjeve. “Sigurisht, Barcelona duhet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Është e pamundur ta kuptojmë Barcelonën pa e ditur se çfarë ka ndodhur në Katalonjë në të kaluarën, – tha Pep për “Marca”. – E kuptoj se nganjëherë, duke qenë në bordin drejtues, apo president i klubit, pra duke qenë në pushtet, duhet të menaxhosh situatën. Ndonjëherë, kjo nuk është e lehtë, por nuk mund ta mohojë askush se Barcelona është shumë e rëndësishme në identifikimin e gjuhës dhe kulturës tonë. Pse nuk mund të përfshihen figurat publike në këtë aspiratë, kur njerëzit lidhen me sportin dhe politikën. Vite më parë, në Valencia, Guus Hiddink, i cili është një nga trajnerët më të mëdhenj në histori, ndaloi lojën në një ndeshje, sepse pa flamuj nazistë në turmën e tifozëve. Ai tha që, nëse ato flamuj nuk hiqeshin, atëherë nuk do të luanin. Sigurisht, ai e përdori pushtetin e tij, por kur është bërë për këtë lloj gjëje, atëherë është shumë e mirë”.
Ka pasur shumë bisedime se çfarë do të ndodhë me Barcelonën, nëse rajoni ndahet nga Spanja, teksa katalanasit nuk mund të luanin më në La Liga. Megjithatë, Guardiola nuk është i shqetësuar. “Mendoj se është më pak shqetësuese, nëse Barcelona luan në ligën spanjolle apo jo, – u përgjigj ai. – Nëse shoqëria merr një vendim, zgjidhja do të gjendet. Në fund të fundit, demokracia e vërtetë kalon përmes referendumeve. A përcaktojnë ato që njerëzit të jetojnë më mirë apo jo? Për këtë gjë nuk kam përgjigje”.