Ish-trajneri i Bayern Munich, Ottmar Hitzfled, ka thënë për “SPOX” se do të ishte marrëzi nëse e konsiderojmë të dështuar që tani sezonin e Niko Kovac dhe të tijve.

Kampionët gjermanë në fuqi kanë regjistruar një fillim të pazakontë në mbrojtje të kurorës së tyre.


Bavarezët janë aktualisht të pestët në renditje, shtatë pikë prapa kreut të Bundesligës, që mbahet nga Borusia Dortmund. Opinioni futbollistik në Gjermani flet për një skuadër të plakur dhe një trajner të dorëzuar, por Hitzfeld beson se është shumë herët për të dalë në përfundime. Madje, ai ndjen se një festë tjetër do të organizohet në “Allianz Arena”, më 2019: “Para së gjithash, është jashtëzakonisht e rëndësishme për Bundesligën, që rivaliteti, më në fund, duket edhe për kreun. Para të gjithave, kjo është ajo, që dëshironim. Tani Dortmundi është përsëri përpara, në krye, sepse ka luajtur me të vërtetë mirë. Pyetja është se si do të vijojë gara. Unë ende besoj se Bayern Munich do të jetë kampion i Gjermanisë në fund të kampionatit. Sezoni është i gjatë dhe Bayern Munich kurrë nuk duhet të dorëzohet”. Dyshimet në Mynih kanë shkuar deri në atë pikë, sa vihen në pikëpyetje aftësitë e trajnerit Kovac për të ofruar rezultatet që priten. Hitzfeld, duke u ndalur në këtë pikë, shtoi: “Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, gjithmonë duhet të jetoni me kritika te Bayern Munich. Në fushë luajnë futbollistët dhe, natyrisht, ata duhet të rriten. Trajneri ka përgjegjësitë e veta në një skuadër futbolli, por në rastin konkret nuk duhet të ekzagjërohet. Unë kam mendim shumë të mirë për Niko Kovac.


Ai është një lider dhe ka personalitet. Për këtë arsye, ai është trajneri i duhur për Bayern Munich. Por, sigurisht, ka nevojë për cilësi përreth, për të marrë maksimumin nga lojtarët e tij. Dhe kjo mungon aktualisht në skuadër. Tani të gjithë e dinë që klubi duhet të bëjë diçka me transferimet në merkato dhe rinovimin e grupit. Presidenti e ka thënë kaq qartë këtë gjë”.

Previous Next